Perëndia të do dhe të pranon
8. korrik e mërkurë
“Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur” Kolosianëve 1:13
Jimmy Wayne nuk e njohu kurrë të atin dhe nëna e tij kaloi më shumë kohë në burg sesa jashtë tij. Kur Jimmy ishte dymbëdhjetë vjeç, nëna e tij u lirua nga burgu dhe u lidh me një njeri problematik. Ata e futën Jimmy-n në sediljen e pasme të makinës së tyre dhe, për një vit, ajo ishte shtëpia e tij. Pastaj, një ditë, e lanë në stacionin e autobusëve në Pensacola, Florida, dhe u larguan me makinë. Ai nuk kishte shtëpi, as të ardhme dhe as përkujdesje. Ndërsa endej nëpër një lagje, ai pa një burrë të moshuar duke punuar në një punishte druri në garazh. Iu afrua dhe e pyeti nëse kishte ndonjë punë për të. Jo vetëm që i dha Jimmy Wayne-it një punë, por e mori edhe të jetonte me të dhe me gruan e tij. Të kishte një shtëpi ku të jetonte ishte si parajsë për Jimmy-n. Megjithatë, pavarësisht mirësisë së tyre, ai refuzoi ta shpaketonte çantën e tij. Për katër ditë, qesja e tij plastike qëndroi në dysheme, plot me rroba, gati në rast se burri dhe gruaja do të ndryshonin mendje. U deshën disa ditë, rreth një duzinë vaktesh dhe më shumë se një bisedë e sinqertë zemër më zemër. Por më në fund, ata e bindën Jimmy-n t’u besonte se do të kujdeseshin për të.
Ndoshta edhe ti vë në dyshim vendin tënd në familjen e Perëndisë ose dashurinë e Tij për ty. Po sikur Ai të ndryshojë mendje? Perëndia i dha përgjigje kësaj pyetjeje në kryq. Kur Jezusi vdiq, vota qiellore u hodh njëherë e përgjithmonë në favorin tënd. “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur”
P.S.: Çfarë ndodhi me Jimmy Wayne-in? Ai e zuri vendin e tij në familje, mori arsimim dhe u bë këngëtar dhe kompozitor i muzikës country.

