Ji një lojtar skuadre
13. korrik e hënë

“Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t'i rezistojnë” Predikuesi 4:12

Solomoni shkroi: “Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t'i rezistojnë”. Ajo që po thotë Solomoni është kjo: “Ji një lojtar skuadre”. Ligji i Përtërirë 32 flet për një njeri që ndjek një mijë dhe për dy që vënë në ikje dhjetë mijë (v. 30). Mësimi është se dy persona që punojnë së bashku do të jenë dhjetë herë më efektivë sesa një që vepron i vetëm. Ekipet krijojnë sinergji. Shpjegimi më i mirë i sinergjisë është se një dorë është më efektive sesa pesë gishta që punojnë secili më vete.

Kur shtypi e intervistoi Edmund Hillary-n lidhur me çelësin e suksesit të tij për t’u bërë i pari që arriti majën e malit Everest, përgjigjia e tij ishte frymëzuese: “Forca jonë më e madhe në Everest në vitin 1953 ishte fryma shumë e fortë e ekipit. Individualisht, si alpinistë, nuk ishim ndonjëherë njerëz veçanërisht ekspertë. Ishim ngjitës të aftë, por punonim së bashku dhe ishim të vendosur që dikush të arrinte majën. Sigurisht, secili prej nesh donte të ishte ai person, por ishte edhe më e rëndësishme që dikush nga grupi të arrinte në majë. Në alpinizmin modern, kjo frymë skuadre nuk është më aq e zakonshme. Ka shumë më tepër ‘prima dona’ në botën moderne të alpinizmit, njerëz me aftësi të mëdha dhe individualizëm të fortë, por që mund të mos punojnë së bashku me të njëjtin entuziazëm siç bënim ne”.

E vërteta është se asnjë individ nuk është aq i zgjuar dhe i fortë sa jemi të gjithë ne së bashku si grup. Ose, siç e thotë Dr. John Maxwell: “Puna në ekip e bën ëndrrën të realizohet”. Prandaj, ji i gatshëm të sakrifikosh planet e tua personale për të mirën më të madhe që mund të arrihet vetëm përmes një ekipi.