Zhvillo shijen për Fjalën e Perëndisë
16. korrik e enjte

“Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time” Psalmi 119:103

Në kulturën e lashtë hebreje, arsimi formal fillonte në moshën gjashtë vjeç. Djemtë hebrenj regjistroheshin në shkollën e sinagogës lokale të quajtur ‘bet sefer’, që do të thotë “shtëpia e librit”. Në momentin që përfundonin katër vjet më vonë, ata kishin memorizuar tërë Torën—çdo gërmë dhe titull i Zanafillës, Eksodit, Levitikut, Numrave dhe Ligjit të Përtërirë ishte gdhendur në korteksin e tyre cerebral përmes mësimit përmendësh. Pra, kemi ende justifikim për të mos mbajtur mend apo jo?

Sipas traditës, rabini i mbulonte pllakat e shkrimit të nxënësve me mjaltë në ditën e parë të klasës. Pastaj rabini urdhëronte klasën e tij të shijonte mjaltin nga pllakat ndërkohë që recitonte Psalmin 119:103: “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time”. Ky ishte leksioni i parë dhe ndoshta më i rëndësishmi i gjithë arsimmiit të tyre. Rabini donte që nxënësit e tij të dashuroheshin me Fjalën e Perëndisë. Ai donte që ata të shijonin dhe të shihnin se Fjala është e mirë (shih Psalmi 34:8).

Jeremia mendonte kështu: “Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime” (Jeremia 15:16). David tha: “Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë” (Psalmi 119:130). Solomoni tha: “Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja” (Fjalët e Urta 2:6). Kur fiton shijen për Fjalën e Perëndisë, Fryma e Shenjtë, e cila është autore e Fjalës, do të bëjë dy gjëra për ty. Së pari, do ta zbulojë atë për ty. Së dyti, do të ta kujtojë atë.