Filloje ditën tënde me Perëndinë
12. korrik e diel

“O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim” Psalmi 5:3

Si e fillon ditën tënde me Perëndinë? Nëse nuk je “njeri i mëngjesit”, mos i vër vetes presion që të kesh një kohë të gjatë leximi të Shkrimit dhe lutjeje që herët në mëngjes. Frank Laubach, një mjeshtër i kohëve moderne në praktikimin e pranisë së Perëndisë, ka thënë: “Nëse je i lodhur nga një formë përgjumëse përkushtimi, ndoshta edhe Perëndia është po aq i lodhur prej saj sa edhe ti”.

Në vend që ta detyrosh veten në mëngjes, përpiqu të organizosh—sa më herët që të jetë e mundur pasi të zgjohesh—vetëm disa minuta të qeta me Perëndinë. Bëj tri gjëra: së pari, prano varësinë tënde nga Perëndia. Së dyti, tregoja Atij shqetësimet e tua për ditën. Së treti, ftoje Perëndinë të kalojë ditën me ty. Psalmisti tha: “O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres” Pastaj shtoi: “Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote” (Psalmi 119:147).

Pra, si mund ta fillosh ditën me Perëndinë? Mos u përpiq të bësh shumë gjëra të reja ose “heroike”. Thjesht bëj gjërat që bën zakonisht—por bëji bashkë me Perëndinë. Në kulturën tonë, shpesh flasim për përqafimin e momentit dhe shfrytëzimin e ditës. Por ne nuk jemi thirrur të përqafojmë momentet; ne jemi thirrur të përqafojmë Perëndinë. Momentet nuk janë gjithmonë të mira; Perëndia nuk është kurrë tjetër veçse i mirë. “Kremtojeni Zotin, sepse Ai është i mirë!” (Psalmi 118:1). Kujtoji vetes se sot Perëndia është me ty dhe se Ai do të jetë i mirë ndaj teje dhe për ty.