Rëndësia e lutjes së përditshme
14. korrik e martë
“Unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj” Isaia 41:10
Dr. George Washington Carver e kapërceu paragjykimin racor dhe u bë arsimtar, shkencëtar dhe shpikës, i cili u nderua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara. Ai ishte gjithashtu një ndjekës i Krishtit. Dhe ja çfarë kishte për të thënë rreth lutjes: “Lutjet e mia duken më tepër si një qëndrim se sa diçka tjetër. Bëj shumë pak lutje vetëm me fjalë, por i kërkoj Krijuesit të Madh në heshtje, çdo ditë dhe shpesh shumë herë gjatë ditës, të më lejojë t’i flas Atij…I kërkoj Atij…të më japë mençuri, kuptim dhe forcë trupore për të bërë vullnetin e Tij; prandaj unë jam duke kërkuar dhe duke marrë gjatë gjithë kohës”.
Carver i dha botës shumë shpikje dhe u bë më i famshëm për atë që arriti të bënte me një kikirik. Ai qëndroi mbi të vërtetën e këtyre Shkrimeve: “Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura” (Isaia 45:2). “M'u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di” (Jeremia 33:3). “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime” (Isaia 41:10).
Kushtoji vëmendje të veçantë fjalëve të Carver-it: “Unë jam duke kërkuar dhe duke marrë gjatë gjithë kohës”. Lutja nuk ishte zgjidhja e tij e fundit, por zgjedhja e tij e parë. Për të, ajo ishte më shumë sesa një ritual fetar; ishte një mjet komunikimi të vazhdueshëm me Perëndinë që ai donte—herë duke folur dhe herë duke dëgjuar, por gjithmonë i ndjeshëm dhe i vetëdijshëm për praninë e Perëndisë. Dhe lutja e përditshme duhet të jetë e tillë edhe për ty.

