Bekime përtej imagjinatës tënde
20. korrik e hënë
“Tani atij që…mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” Efesianëve 3:20
Pastor Heidi Scanlon tha: “Perëndia ka bekime për ne në kategori që ne as nuk i dimë se ekzistojnë”. Kjo do të thotë se Perëndia mund të krijojë diçka nga asgjëja. Ai mund të duket sikur del nga askundi dhe pikërisht kur ke më shumë nevojë për Të, të jep diçka për të cilën ti nuk ke asnjë kategori. Perëndia thotë: “Sepse mendimet e Mia nuk janë mendimet tuaja, as rrugët e Mia nuk janë rrugët tuaja”, thotë Zoti. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:9).
Ti mund të thuash: “Nëse Perëndia ka bekime për të cilat unë nuk kam kategori, si mund t’i kërkoj ato?”. Në këtë moment vjen në ndihmë Fryma e Shenjtë, e cila banon brenda teje: “Sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne…Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës” (Romakëve 8:26-27). Dhe për shkak se Fryma e Shenjtë lutet në përputhje me vullnetin e Perëndisë, ti je i bekuar me mençuri përtej dijes tënde, fuqi përtej forcës tënde dhe favor përtej aftësisë tënde. Pali e shprehu kështu: “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen” (Efesianëve 3:20-21).
Tani, gjithsesi ti duhet të bësh pjesën tënde me përkushtim, sepse Perëndia nuk mund të bekojë neglizhencën. Por kur e di që ke vepruar besnikërisht dhe ke qenë i bindur ndaj Perëndisë, mund të besosh se Ai do të të japë bekime përtej imagjinatës tënde.

