Riprogramoje dhe ripërtërije mendjen tënde
9. korrik e enjte
“Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës” Romakëve 8:5
Neuroshkencëtarët na tregojnë se çdo tingull, çdo përvojë, çdo mendim i vetëdijshëm dhe çdo ëndërr në nënvetëdije regjistrohet dhe gdhendet fjalë për fjalë në ‘hard diskun’ tonë të jashtëm, korteksin cerebral. Tani, vendose këtë përkrah këtij vargu: “Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezu Krishtin” (Filipianëve 2:5). E thënë thjesht: mendja e Krishtit është Fjala e Perëndisë. Në fund të fundit, Jezusi është “Fjala” (Gjoni 1:1). Kur ti lutesh ose mediton, ose mëson përmendësh Shkrimin, ti po e gdhend Jezusin në trurin tënd. Nga pikëpamja neurologjike, ti po krijon lidhje të reja nervore dhe po riorienton ato të vjetrat. Ngadalë, por me siguri, truri yt po riformësohet dhe po ripërtërihet. Mendoje si një sinkronizim të mendjes. Ti po shkarkon vetë fjalët, vetë mendimet e Perëndisë. Dhe me kalimin e kohës, këto “shkarkime” bëhen përmirësime që formojnë mendjen e Krishtit brenda nesh.
Vëre se çfarë thotë autori Mark Batterson për mënyrën se si ai e lexon Biblën: “Vazhdoj të lexoj derisa të has në ndonjë varg që sugjeron ndalesë. Shpesh është diçka për të cilën kam nevojë të mendoj ose të lutem. Ndonjëherë është bindja e Frymës së Shenjtë dhe kam nevojë të bëj një bisedë me Perëndinë para se të vazhdoj… Kur has në një nga ato vargje, bëj tri gjëra: Së pari, e nënvizoj ose e rrethoj në Biblën time. Së dyti, e shkruaj me dorë në ditarin tim. Së treti, shkruaj mendime, rrëfime dhe ide që lidhen me të. Pastaj, kur ndiej se Fryma e Shenjtë sjell mbyllje, vazhdoj me vargun tjetër”. Këto janë tri ide shumë të mira që do të funksionojnë edhe për ty.

