Shiko pas dhe inkurajohu!
11. korrik e shtunë
“Ja, ne shpallim të lum ata që duruan” Jakobi 5:11
Jakobi shkroi: “O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri” (Jakobi 5:10-11). Këtu na kujtohet të kthejmë vështrimin pas dhe të sfidohemi e të inkurajohemi nga ata që shkuan përpara nesh, ndërsa presim ardhjen e Zotit. Shiko Osean: gruaja e tij e braktisi, por ai qëndroi besnik dhe Perëndia e ripërtëriu martesën e tyre (Osea 3:1–3). Shiko Danielin: ai u hodh në gropën e luanëve sepse qëndroi i palëkundur në besimin e tij, por Perëndia e çliroi dhe e ngriti në pozitë (Danieli 6:1–28). Shiko Jeremian: ai u arrestua, u akuzua si tradhtar dhe u hodh në një pus për të vdekur (Jeremia 37–38). Por ai ngriti sytë lart dhe Perëndia e çliroi. Pastaj është lista e të besnikëve e renditur tek letra drejtuar Hebrenjve, kapitulli njëmbëdhjetë!
Ata prej nesh që janë refuzuar nga anëtarë të familjes mund të kthejnë vështrimin te Abeli (v. 4). Ata që keqkuptohen mund të shikojnë te Noeu (v. 7). Ata që po përballen me një krizë besimi dhe duken sikur janë përballë së pamundurës, mund të shikojnë te Abrahami (v. 8–10). Nëse je përdorur ose abuzuar, shiko te Jozefi (v. 22). Ata që përballen me pengesa në dukje të pakapërcyeshme në jetë, mund të shikojnë te Jozueu (v. 30). Ata që kërkojnë të ecin përtej një të kaluare mëkatare, mund të shikojnë te Rahabi (v. 31). Pra, kjo është fjala për ty sot: Shiko pas dhe inkurajohu!

